Presidenti amerikan Donald Trump ka anuluar sulmet e planifikuara sonte ndaj Iranit me pretekstin tashmë të kthyer në ‘refren’, se një marrëveshje është shumë pranë.
Me anë të një positmi në rrjetin e tij social “TruthSocial”, Trump shkroi se bisedimet me Iranin janë vendosur në nivelin më të lartë dhe se për këtë arsye ai kishte urdhëruar anulimin e sulmeve.
Sipas Trump marrëveshja është kopsitur dhe se është rënë dakord edhe nga vendet fqinje. Presidenti amerikan tha se orari i nënshkrimit të marrëveshjes do të njoftohet së shpejti.
“Bazuar në faktin se diskutimet me Republikën Islamike të Iranit janë sjellë në nivelin më të lartë të udhëheqjes iraniane dhe janë miratuar, unë, si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kam anuluar sulmet dhe bombardimet e planifikuara kundër Iranit këtë mbrëmje. Diskutimet dhe pikat përfundimtare janë miratuar, si në koncept ashtu edhe në detaje të mëdha, nga të gjitha palët e përfshira, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Izraelin, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin, Turqinë, Pakistanin, Bahreinin, Kuvajtin, Jordaninë, Egjiptin dhe të tjerë. Bllokada Detare do të mbetet në fuqi dhe efekt të plotë derisa të finalizohet ky Transaksion. Ora dhe vendi i nënshkrimit do të njoftohen së shpejti”, shkroi Trump.
Izraeli nuk është palë në memorandumin e mirëkuptimit të raportuar midis SHBA-së dhe Iranit, tha kryeministri zraelit Benjamin Netanyahu. Ai vlerësoi Trump për angazhimin e tij për të kufizuar prodhimin e raketave të Iranit, çmontimin e infrastrukturës së pasurimit bërthamor, heqjen e uraniumit të pasuruar dhe ndërprerjen e mbështetjes së Iranit për përfaqësuesit rajonalë.
Ndërkohë ushtria amerikane ka rrëzuar dy dronë sulmues iranianë, raportoi Reuters duke cituar një zyrtar amerikan që foli në kushte anonimiteti.
Sipas zyrtarit, dronët u interceptuan gjatë një përpjekjeje të dyshuar të Iranit për të sulmuar anije tregtare që po kalonin nëpër Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët detare më strategjike në botë.
Burimi amerikan theksoi se incidenti nuk ka ndikuar në qarkullimin detar në zonë. “Rrjedha e trafikut nëpër ngushticë vazhdon”, tha ai.
Zhvillimi vjen në një moment kur presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Uashingtoni dhe Teherani kishin arritur një marrëveshje për të ulur tensionet mes dy vendeve.





