Home Maqedoni Ligji i ri për armët në Maqedoninë e Veriut: Kufizime tjera të...

Ligji i ri për armët në Maqedoninë e Veriut: Kufizime tjera të rrepta!

10
0
Screenshot

Ndryshimet e propozuara në Ligjin për Armët po nxisin debate në Maqedoninë e Veriut, duke përplasur institucionet, ekspertët dhe odat ekonomike në një dëgjim publik në Kuvend.

Ky reformim i thellë ligjor synon të harmonizojë rregullat vendase me standardet e Bashkimit Evropian, duke vendosur kritere shumë më strikte për blerjen, posedimin dhe tregtimin e armatimit, përcjell INA.

Sipas propozuesve, ndryshimet do të sjellin rregulla më të qarta, por drafti i ri tashmë ka hasur në kundërshtime të ashpra nga bizneset dhe sektori i sigurisë për shkak të kushteve të reja shtrënguese.

Afatet e reja, kufizimet dhe kushtet e rrepta:

Përgjysmimi i afatit të lejeve: Një nga goditjet më të mëdha të ligjit të ri është shkurtimi i vlefshmërisë së lejeve për armë. Në vend të 10 viteve sa ishte deri më tani, lejet e reja do të kenë një afat vlefshmërie prej vetëm 5 vjetësh.

Kufizimi i numrit të armëve: Ligji i ri vendos një tavan të prerë për qytetarët. Një person fizik do ta ketë të ndaluar të posedojë më shumë se maksimumi 10 copë armë.

Kosto dhe burokraci për kompanitë:Përfaqësuesit e Grupit për Armët pranë Odës Ekonomike paralajmërojnë se këto kushte dhe obligime të reja do të krijojnë kosto të larta dhe ngarkesa shtesë administrative për bizneset.

Reagimi i sektorit të sigurisë: Oda për Siguri Private ka shprehur revoltë të hapur, duke theksuar se nuk janë konsultuar fare gjatë hartimit të këtyre ndryshimeve, posaçërisht për shkurtimin e afatit të lejeve.

Kërkesat e ekspertëve: Nga ana tjetër, komuniteti i ekspertëve ka bërë thirrje që në tekstin përfundimtar të qartësohen dhe të precizohen saktë kushtet e përdorimit dhe kategorizimi për armët sportive.

Ky ligj ka një histori të gjatë ndryshimesh në vend; që nga miratimi i tij në vitin 2005, ai është ndryshuar dhe plotësuar plot 15 herë, por këto ndryshime të fundit po shihen si më radikalet në dy dekadat e fundit. (INA)