Home Shqiperi Freemasonët shqiptarë kremtojnë Solsticin Veror 2026 – publikohen pamjet nga ceremonia

Freemasonët shqiptarë kremtojnë Solsticin Veror 2026 – publikohen pamjet nga ceremonia

1
0
Screenshot

Lozha e Madhe e Shqipërisë ka organizuar ceremoninë tradicionale të Solsticit Veror 2026, një nga ngjarjet më të rëndësishme të kalendarit masonik, ku u mblodhën anëtarë, familjarë dhe mysafirë nga vende të ndryshme.

Sipas njoftimit zyrtar të organizatës, ceremonia u zhvillua më 21 qershor në një atmosferë vëllazërie, reflektimi dhe festimi. Përveç anëtarëve të Lozhës, në aktivitet morën pjesë edhe familjarë, miq dhe të ftuar, duke respektuar traditën e përvitshme të kësaj feste.

Në simbolikën masonike, Solstici Veror përfaqëson kulmin e dritës dhe shërben si një kujtesë për kërkimin e vazhdueshëm të dijes, zhvillimit personal, virtytit dhe përmirësimit të vetvetes.

Një moment i veçantë i ceremonisë ishte nderimi i Petraq Ilollarit, i cili festoi 90-vjetorin e lindjes. Me këtë rast, Lozha e Madhe e Shqipërisë i akordoi atij titullin Anëtar Nderi, në shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe jetën e tij në Vëllazëri.

Aktiviteti u nderua gjithashtu nga prania e masonëve të ardhur nga Italia, Greqia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke theksuar lidhjet ndërkombëtare që ekzistojnë mes lozhave masonike.

Në njoftim kujtohet edhe data 24 qershor, e lidhur tradicionalisht me Shën Gjon Pagëzorin, e cila në traditën masonike lidhet edhe me fillesat e Freemasonerisë moderne. Pikërisht më 24 qershor 1717, katër lozha londineze u bashkuan për të krijuar Lozhën e parë të Madhe, një ngjarje që konsiderohet gjerësisht si pikënisja e organizimit të Freemasonerisë moderne.

Në përmbyllje të mesazhit të saj, Lozha e Madhe e Shqipërisë theksoi angazhimin për promovimin e idealeve të Lirisë, Barazisë dhe Vëllazërisë, si dhe për ndërtimin e urave të mirëkuptimit, respektit dhe bashkëpunimit mes njerëzve./Kercovanews