Një nga ndeshjet më dramatike të këtij Botërori u zhvillua mes Portugalisë dhe Kroacisë, ku gjithçka u vendos vetëm pas një fundi të pabesueshëm që mbajti tifozët pa frymë deri në sekondën e fundit.
Portugalia siguroi kalimin në fazën tjetër pas fitores 2-1 ndaj Kroacisë, por rezultati nuk tregon aspak dramën që ndodhi në minutat shtesë.
Pas 90 minutave lojë, arbitri akordoi plot 10 minuta shtesë. Në minutën e 94-t, Rafael Leão krosoi në zonë, ndërsa Gonçalo Ramos realizoi me kokë për t’i dhënë epërsinë Portugalisë. Festë e madhe në kampin portugez, të bindur se kualifikimi ishte siguruar.
Por Kroacia nuk u dorëzua.
Në minutën e 103-të, pas një aksioni të shpejtë, Joško Gvardiol dërgoi topin në rrjetë dhe stadiumi shpërtheu në festë. Lojtarët kroatë nisën të festonin atë që dukej si goli i barazimit dhe vazhdimit të ndeshjes.
Megjithatë, festa zgjati vetëm pak çaste.
Sistemi VAR ndërhyri menjëherë për të analizuar aksionin. Pas shqyrtimit të pamjeve dhe teknologjisë së topit inteligjent, arbitri konfirmoi se kishte prekje nga një futbollist kroat, çka e vendoste një tjetër lojtar në pozitë jashtë loje.
Vendimi ishte i prerë: gol i anuluar për pozicion jashtë loje.
Në atë moment, lojtarët e Portugalisë shpërthyen në festë, ndërsa futbollistët kroatë mbetën të shokuar. Legjenda Luka Modrić, 40-vjeçar, u pa i dëshpëruar pas fishkëllimës së fundit, në atë që mund të ketë qenë paraqitja e tij e fundit në një Kampionat Botëror.
Edhe Cristiano Ronaldo përjetoi emocione të forta. Fillimisht ai mendoi se Portugalia kishte humbur kualifikimin, por pas vendimit të VAR-it festoi bashkë me skuadrën kalimin në fazën tjetër.
Pas ndeshjes nuk munguan polemikat. Trajneri i Kroacisë, Zlatko Dalić, kritikoi ashpër përdorimin e VAR-it.
“VAR ndonjëherë ndihmon, por po ia vret futbollit emocionin. Po e shkatërron atë që përjetojnë lojtarët dhe tifozët në moment,” deklaroi ai.
Kjo ndeshje tashmë konsiderohet nga shumë analistë si një nga përballjet më dramatike të këtij Botërori./Kercovanews





