Mirë është se nuk kemi gjendje të rrezikut për jetë të askujt në këtë moment, keq është se bandat kriminele edhe sot janë “të tërbuara”, por, në mënyrë adekuate, me vendosmëri dhe me ashpërsi do t’u përgjigjemi të gjithë atyre që e prishin qetësinë e qytetarëve tanë, deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski lidhur me ngjarjen e sotme, ku një mjet shpërthyes është hedhur në një oborr në lagjen “Keramidnicë” në Shkup, ku mbeti i plagosur Rade Trajkovski- Shtekli, transmeton TV21.
I pyetur se pse MPB nuk po vepron, marrë parasysh se edhe ngjarje të tjera, por edhe kjo ngjarje, u paralajmëruan në Tik Tok, Toshkovski tha:
Gazetarja: Edhe ky sulm, ishte paralajmëruar në Tik Tok. “Keramidnica Shkup, përballë East Gate, po vjen kataklizmë, të do vëllai”. Në këtë video, që është me animacion të shpërthimit, është bërë tag pikërisht Rade Shtekli. Nuk është hera e parë që i paralajmërohet diçka e këtillë përmes rrjeteve sociale. A nuk mundet MPB t’i gjurmojë?
“Në suaza të asaj që është kompetencë e MPB-së, sipas kapaciteteve që i kemi, do të veprojmë. Për këtë ju siguroj. Nuk do të ketë më përgjumje, siç është përgjumur më herët”, tha Toshkovski.