Home Maqedoni Aferë spiunazhi në Vilën Presidenciale në Vodno, dyshime për vjedhje të informacionit...

Aferë spiunazhi në Vilën Presidenciale në Vodno, dyshime për vjedhje të informacionit të klasifikuar

4
0

Për shkak të dyshimeve për një aferë spiunazhi në Vilën Presidenciale në Vodno, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit njofton se prej pesë muajsh po zhvillon një procedurë parahetimore për dyshime mbi aktivitete të paligjshme në Kabinetin e Presidentes Gordana Siljanovska-Davkova në Vilën Vodno, përcjell TV21.

“PTHP NKOK pas marrjes së njoftimit më 18.12.2025 nga Ministria e Punëve të Brendshme – Sektori për Krim Kibernetik, që lidhej me një ngjarje të ndodhur më 24.11.2025 dhe me ekzistencën e indikacioneve për aktivitete të palejuara me interes të lartë shtetëror, po atë ditë është hapur procedura parahetimore dhe janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme sipas kompetencave ligjore. Në kuadër të procedurës, në Gjykatën Penale Themelore është dorëzuar kërkesë për lëshimin e urdhrit për kontroll të sistemit kompjuterik, me qëllim përcaktimin e përmbajtjeve që dyshohet se janë kopjuar pa autorizim nga sistemi informativ në Kabinetin e Presidentes. Po ashtu, janë lëshuar urdhra për ekstraktim të të dhënave nga kompjuterë personalë dhe laptopë të dorëzuar në MPB nga Kabineti i Presidentes”, thonë nga Prokuroria.

Gjithashtu, Kabinetit të Presidentes i është kërkuar të dorëzojë kopje të videoregjistrimeve nga kamerat e sigurisë lidhur me ngjarjen e raportuar.

“Më 30.12.2025, deri te MPB, Sektorit për Krim Kibernetik i është dorëzuar urdhër për analizën e materialit të ekstraktuar si provë. Në fillim të vitit 2026, pasi është marrë informacion se Kabineti i Presidentes nuk disponon kopje të videomaterialit të mbikëqyrjes, pasi pajisjet janë siguruar përmes SHPPP (Shërbimi për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta) dhe kompetenca për menaxhimin dhe ruajtjen e regjistrimeve është te MPB-ja, prokurori është drejtuar edhe te SHPPP dhe MPB për sigurimin e tyre urgjent. SHPPP ka njoftuar se nuk disponon regjistrime, por se kompetenca e tyre lidhet vetëm me prokurimin e pajisjeve, ndërsa ruajtja dhe administrimi i videove është në MPB. Megjithatë, MPB deri më sot nuk ka dorëzuar informacione kthyeshme dhe as njoftim për veprimet e ndërmarra për sigurimin e videoregjistrimeve. Më 16.03.2026, MPB ka dorëzuar njoftim për disa aktivitete lidhur me sigurimin e qasjes në të dhënat e enkriptuara nga pajisjet e ekstraktuara. Gjithashtu, në PTHP NKOK janë dorëzuar dy telefona mobilë të sekuestruar, me kërkesë për ekspertizë, për të cilët është lëshuar urdhër përkatës. Më 25.03.2026, duke marrë parasysh seriozitetin e rastit, prokurori ka kërkuar nga MPB analiza të të dhënave nga telefonat mobilë, si dhe analizë të përbashkët të të dhënave të nxjerra nga pajisjet kompjuterike. Është kërkuar gjithashtu raport për zbatimin e urdhrit gjyqësor për kontroll në sistemin informativ të Kabinetit të Presidentes. Deri më sot, pavarësisht seriozitetit dhe ndjeshmërisë së çështjes, PTHP NKOK nuk ka marrë asnjë raport nga MPB për rezultatet e veprimeve të ndërmarra dhe as për provat e mbledhura, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.