Pasi të marrë detyrën në mandatin e dytë, Donald Trump sigurisht që do t’i japë “nxitje të madhe” sektorit të teknologjisë së lartë dhe në të njëjtën kohë “të mbrojë” industrinë tradicionale, sektorë në të cilët Bashkimi Europian eksporton më shumë drejt Shteteve të Bashkuara. Prandaj, BE-ja do ta gjejë veten të detyruar të “negociojë” me Uashingtonin, por do t’i duhet ta bëjë këtë pa u ndarë dhe në të vërtetë duke u përpjekur të kompensojë hendekun në sektorin e teknologjisë së lartë. Kjo në terma të gjerë është përmbledhja e fjalimit të Mario Draghit drejtuar liderëve të mbledhur në stadiumin Puskash në Budapest ku u mbajt takimi jozyrtar i krerëve të shteteve apo qeverive të Këshillit Europian.
Ish-kryeministri tha se “do të flasim për raportin e konkurrencës në Evropë. Indikacionet e këtij raporti janë tashmë urgjente, duke pasur parasysh situatën ekonomike në të cilën ndodhemi. Ato janë bërë edhe më urgjente pas zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara. Nuk ka dyshim se presidenca Trump do të sjellë një ndryshim të madh në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, jo domosdoshmërisht të gjitha në mënyrë negative, por sigurisht që ne duhet ta marrim parasysh atë nga pikëpamja e ringjalljes së konkurrencës në Evropë”.