Shkruan: Enver Robelli
Në programin e mëngjesit të televizionit shtetëror serb RTS sot u shfaq me një analizë edhe ish-diplomati maqedonas Risto Nikovski. Ai foli lidhur me Samitin e BE-së me vendet e Ballkanit, i cili do të mbahet nesër në Tivat të Malit të Zi. Nikovski, 84-vjeçar, ish-ambasador në Londër, Moskë dhe Tiranë, u shpreh skeptik sa i përket zgjerimit të BE-së. Tha se vetëm Mali i Zi ndoshta do të pranohet, ndërsa Shqipëria jo – ose vetëm nëse Washingtoni i bën presion Brukselit që ta pranojë.
Por, sipas Nikovskit, “Europa momentalisht është në kaos, e humbur në gjithësi, dëshiron të luftojë me Rusinë, gjë që është marrëzi origjinale, kuptojeni këtë. Europa nuk mund të jetë e bashkuar, e sigurt, progresive dhe e zhvilluar pa Rusinë. (…) Mbi 40 për qind e territorit të Europës i përket Rusisë, e ata duan të luftojnë me Rusinë. Po them: Europa është në kaos, nuk ka asnjë indikator se atje po rregullohet diçka; përkundrazi – këta duan të luftojnë me Rusinë. Ideja që krejt Ballkani të jetë pjesë e BE-së, kjo është jashtë çdo logjike”.
Vetëm vini re: brenda një deklarate të shkurtër, ky ish-diplomat maqedonas thotë tri herë se Europa dëshiron të luftojë kundër Rusisë. Tri herë e përsërit të njëjtën rrenë! Edhe pretendimi i tij se Europa na qenkësh në kaos – është rrenë! E madhe.
Kjo është propagandë e Kremlinit, e përhapur nga një ish-diplomat maqedonas. Kjo është retorikë antieuropiane e një ish-zyrtari të lartë shtetëror të Shkupit. Nuk është fare rastësi që ky person flet për televizionin shtetëror serb, një vatër e shpeshtë e dezinformimit.
Ajo që thotë Nikovski nuk dallon fare nga gjuha e propagandistëve të Vlladimir Putinit, të cilët kërcënojnë Europën në pothuajse çdo emision debati në televizionet ruse. Europa nuk ka asnjë interes të luftojë kundër Rusisë. Europa po e përkrah Ukrainën, e cila është sulmuar brutalisht nga Rusia.
Nikovski nuk e tha asnjë fjalë për dështimet e qeverisë maqedonase – një qeveri e dominuar nga partia VMRO, e cila, siç po shihet, po vegjeton në popullizëm dhe nuk po tregon gatishmëri për të zbatuar reforma që do ta çonin vendin përpara në rrugën europiane.





