Home Bota “Lufta e Ftohët 2.0”/ Kina dërgon astronaut në hapësirë, synon Hënën dhe...

“Lufta e Ftohët 2.0”/ Kina dërgon astronaut në hapësirë, synon Hënën dhe Marsin

5
0

Kina ka nisur sot një mision të rëndësishëm hapësinor, duke shënuar një tjetër moment historik në programin e saj ambicioz kozmik. Raketa Long March 2F u lëshua nga Qendra e Lëshimit të Satelitëve Jiuquan në shkretëtirën e Gobit, duke transportuar tre astronautë drejt stacionit hapësinor Tiangong. Misioni Shenzhou-23 shihet si një hap kyç drejt qëllimit të Pekinit për të dërguar njerëz në Hënë deri në vitin 2030.

Ekuipazhi përbëhet nga komandanti Zhu Yangzhu, piloti Zhang Zhiyuan dhe specialisti i ngarkesave Lai Ka-ying, e para astronautja nga Hong Kongu. Sipas autoriteteve kineze, një nga anëtarët e ekuipazhit do të qëndrojë në orbitë për rreth një vit të plotë, një rekord për programin kinez, duke marrë pjesë në eksperimente të gjata për të studiuar efektet e mikrogravitetit në trupin e njeriut, duke përfshirë humbjen e densitetit kockor, ekspozimin ndaj rrezatimit dhe stresin psikologjik.

Gjatë misionit, ekipi do të kryejë një sërë eksperimentesh shkencore në fusha si biologjia hapësinore, shkencat e materialeve, fizika e fluideve, mjekësia dhe madje studime mbi embrione artificiale, lidhje aliazhesh dhe bateri. Do të testohet gjithashtu docking autonom i shpejtë, një teknikë e rëndësishme për misione të ardhshme të pavarura drejt Hënës.

Ky mision nuk është vetëm një arritje teknike, por edhe një deklaratë strategjike. Kina po përgatitet intensivisht për landingun e parë të mundshëm me njerëz në Hënë, duke synuar vitin 2030, ndërsa po zhvillon aftësi për misione edhe më të gjata drejt Marsit në afatgjatë.

MisionI vjen në kulmin e një gare të re hapësinore midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, që shumë analistë e krahasojnë me rivalitetin Sovjeto-Amerikan të viteve 1960. Ashtu si në epokën e Sputnikut dhe Apollo-s, hapësira po bëhet një arenë e re për supremaci teknologjike, prestigj kombëtar dhe ndikim global.

Shtetet e Bashkuara, nëpërmjet programit Artemis, synojnë një ulje njerëzore në Hënë rreth vitit 2028, duke u mbështetur tek partnerët privatë si SpaceX dhe Blue Origin. Ndërkohë, Kina po ecën me një ritëm të qëndrueshëm dhe të planifikuar, duke ndërtuar stacionin e saj Tiangong dhe duke zhvilluar raketa të reja si Long March 10 për misione lunare.

Ekspertët paralajmërojnë se kjo garë nuk është vetëm për “flamuj dhe gjurmë këmbësh”, por për kontrollin e burimeve lunare si dhe vendosjen e normave ligjore në hapësirë dhe dominimin në teknologjitë e ardhshme si minierat hapësinore ose bazat e përhershme. Disa zyrtarë amerikanë e kanë quajtur Kinën “rivalin e madh” dhe kanë theksuar se humbja e garës mund të ketë implikime gjeopolitike afatgjata.

Në këtë kontekst, Shenzhou-23 përfaqëson një moment simbolik: Kina po demonstron aftësi për qëndrime të gjata në hapësirë, të cilat janë thelbësore për misionet e thella hapësinore. Suksesi i saj mund të përshpejtojë përpjekjet e Uashingtonit për të mos mbetur prapa, duke rikthyer frymën e një “Luftë të Ftohtë” ku teknologjia dhe inovacioni janë armët kryesore.