Home Shqiperi Panik në “Ali Dem”, Fatmir Bektashit i merr flakë pallati i sapo...

Panik në “Ali Dem”, Fatmir Bektashit i merr flakë pallati i sapo ndërtuar

2
0

Zjarr dhe panik mbrëmjen e sotme në kompleksin “Kadiu” në zonën e Ali Demit në Tiranë. Flakët kanë përfshirë një nga pallatet e sapo ndërtuara nga ortaku i familjes Berisha, Fatmir Bektashi, ndërsa tymi i dendur detyroi dhjetëra banorë të dalin me urgjencë nga banesat.

Sipas dëshmive nga vendngjarja, zjarri dyshohet se nisi nga kabina e automateve elektrike. Alarmi i pallatit u aktivizua, energjia u ndërpre dhe familje të tëra, mes tyre edhe fëmijë, dolën të frikësuar jashtë ndërtesës.

Por ajo që e bëri situatën edhe më dramatike ishte mungesa e aksesit për mjetet e emergjencës. Banorët denoncojnë se rruga para pallatit ka qenë e bllokuar, duke vështirësuar hyrjen e zjarrfikëses dhe ambulancës në momentet kritike.

Qytetarët denoncojnë se rrugët brenda kompleksit janë jashtë çdo standardi dhe e bëjnë pothuajse të pamundur ndërhyrjen e zjarrfikëses apo ambulancës në raste emergjente.

Kompleksi ende nuk ka përfunduar plotësisht, ndërsa pallatet kanë vetëm pak muaj që janë banuar. Banorët thonë se po jetojnë mes kantierit dhe mungesës së standardeve bazë të sigurisë. Skandali është se si mund të digjet rrjeti elektrik në një pallat të sapo ndërtuar?

Pallatet janë të kompanisë “Kontakt” të biznesmenit Fatmir Bektashi, i cili edhe pse është nën hetim me dy dosje në SPAK, vijon të marrë leje ndërtimi dhe të zgjerojë projektet në kryeqytet.

Fatmirësisht flakët janë neutralizuar pa pasoja fatale, por banorët paralajmërojnë se një situatë e tillë mund të përfundojë në tragjedi nëse nuk merren masa urgjente.