Home Tech “Është e pashmangshme”, Apple paralajmëron rritje të çmimeve, ja sa pritet të...

“Është e pashmangshme”, Apple paralajmëron rritje të çmimeve, ja sa pritet të kushtojë një iPhone

8
0
Screenshot

Apple ka sinjalizuar se çmimet e produkteve të saj mund të rriten në periudhën e ardhshme, pasi kostot e çipave të memories dhe komponentëve të tjerë elektronikë kanë shënuar rritje të konsiderueshme në tregjet globale.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, rritja e kërkesës për teknologjitë e inteligjencës artificiale (AI) ka ushtruar presion të madh mbi prodhuesit e çipave, duke bërë që çmimet e memories dhe komponentëve të nevojshëm për telefonat inteligjentë të rriten ndjeshëm.

Ekspertët e industrisë vlerësojnë se kjo situatë mund të ndikojë drejtpërdrejt edhe në çmimin e gjeneratës së ardhshme të iPhone-ve, të cilët pritet të prezantohen në vjeshtën e këtij viti.

Sipas analizave të tregut, modelet e reja të Apple mund të kushtojnë nga 100 deri në 150 dollarë më shumë krahasuar me gjeneratën aktuale, veçanërisht për shkak të funksioneve të reja të bazuara në inteligjencën artificiale dhe kostove më të larta të prodhimit.

Nëse këto parashikime realizohen, modeli bazë i iPhone 18 mund të nisë nga rreth 899 deri në 949 dollarë, ndërsa versionet Pro dhe Pro Max mund të arrijnë çmime mbi 1,200 dollarë, varësisht nga kapaciteti i memories dhe tregu ku do të shiten.

Ndërkohë, firma kërkimore Omdia parashikon që çmimi mesatar i smartfonëve në nivel global të rritet me rreth 20% gjatë vitit 2026, duke arritur nivele rekord.

Përveç kërkesës së lartë për teknologjitë AI, industria e gjysmëpërçuesve po përballet edhe me sfida të tjera në zinxhirin e furnizimit, gjë që po ndikon në rritjen e kostove për prodhuesit e pajisjeve elektronike.

Megjithatë, Apple ende nuk ka bërë të ditur se kur do të hyjnë në fuqi ndryshimet e mundshme të çmimeve dhe cilat produkte do të preken drejtpërdrejt nga këto rritje.