Sheki Imeti ka reaguar me kritika të forta ndaj qeverisjes së deritanishme dhe procesit të rikonstruktimit të kabinetit qeveritar, duke kërkuar llogaridhënie për premtimet që, sipas tij, nuk janë realizuar gjatë dy viteve të fundit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Imeti thekson se ndryshimi i ministrave nuk mjafton nëse nuk shoqërohet me rezultate konkrete për qytetarët.
Postimi i plotë:
RIKONSTRUIMI I QEVERISË NUK E FSHIN BILANCIN E DY VITEVE!
Po vijnë ministra të rinj. Mirëpo, para se të presin duartrokitje, duhet të japin përgjigje për atë që nuk u bë për dy vite.
**Premtoi ndryshime kushtetuese brenda 6 muajve. Kaluan dy vite… dhe premtimi mbeti vetëm premtim.
**Premtoi avancimin e shqiptarëve. Në fund u hoq balancuesi, u kontestua statusi i gjuhës shqipe dhe, me vendime të Gjykatës Kushtetuese, u rikthyen emërtimet e vjetra në Tetovë “Tito”..Ky është bilanci që lanë pas.
**Premtoi investime. Në vend të investimeve strategjike, tentuan ta zvarrisin Korridorin 8 dhe morën kredi, ndërsa askush nuk di të tregojë qartë se ku u investuan ato mjete.
**Premtoi përparim drejt Bashkimit Evropian. Sot rruga vazhdon të jetë e bllokuar.
**Premtoi dinjitet për shqiptarët. Në vend të kësaj, shqiptarët u larguan edhe më shumë nga proceset e vendimmarrjes.
Ndërsa ministrat e VLEN-it, në vend që të ishin zëri i qytetarëve, shpesh u panë si mbrojtësit më të zellshëm të politikave të kryeministrit.
E tani na serviret “rikonstruimi”.
Pyetja është: Çfarë do të bëjnë ministrat e rinj që nuk e bënë të vjetrit? Do t’i realizojnë premtimet e dy viteve të kaluara apo do të premtojnë përsëri se gjithçka do të bëhet “së shpejti”?
Nëse politika mbetet e njëjtë, ndryshimi i ministrave është vetëm ndërrim dekorësh.
Qytetarët nuk kanë nevojë për një kastë të re arsyetimesh. Kanë nevojë për rezultate. Dhe ato nuk zëvendësohen me konferenca për shtyp, fotografi apo propagandë.
Dy vite kanë kaluar. Tani është koha e llogaridhënies, jo e marketingut politik.
VLEN – NISTO!





