Home Maqedoni SKANDALI I RADHËS NË KËRÇOVË? Vetëm 16% e fondeve për shqiptarët, Saliju...

SKANDALI I RADHËS NË KËRÇOVË? Vetëm 16% e fondeve për shqiptarët, Saliju Osmani dhe Rushani kërkojnë llogari për milionat e kulturës

2
0

Ndarja e mjeteve për kulturën në Komunën e Kërçovës ka shkaktuar debat dhe reagime të forta në Këshillin Komunal, ku këshilltarët e Aleancës për Shqiptarët, Syarta Saliju Osmani dhe Ilir Rushani, kanë ngritur një sërë pyetjesh dhe dyshimesh lidhur me kriteret e përzgjedhjes së projekteve që kanë përfituar financim nga buxheti i kulturës.

Gjatë mbledhjes së Komisionit për Kulturë, Syarta Saliju Osmani kërkoi transparencë të plotë mbi procesin e vlerësimit të projekteve, duke pyetur se mbi çfarë rregulloreje dhe kriteresh konkrete janë ndarë fondet publike. Ajo ngriti gjithashtu shqetësime për mundësinë e favorizimeve, duke pyetur nëse në përzgjedhjen e përfituesve kanë ndikuar lidhjet personale, afërsia me pushtetin lokal apo marrëdhëniet familjare.

“Si është e mundur që një individ të përfitojë më shumë projekte, ndërsa manifestime dhe shoqata që prej vitesh mbajnë gjallë kulturën shqiptare në Kërçovë të mbeten pa mbështetje?”, ishte një nga pyetjet që ajo adresoi para anëtarëve të komisionit, duke kërkuar përgjigje dhe llogaridhënie nga institucionet përgjegjëse.

Në të njëjtën linjë reagoi edhe këshilltari Ilir Rushani, i cili e cilësoi procesin e ndarjes së mjeteve si të padrejtë dhe diskriminues ndaj projekteve shqiptare. Sipas tij, megjithëse Kërçova mban titullin “Qytet i Kulturës 2026”, nga rreth 10 milionë denarë të ndarë për kulturën, vetëm rreth 16 për qind kanë përfunduar te projektet shqiptare.

Rushani kërkoi sqarime publike se përse janë lënë pa financim manifestime të njohura kulturore si “Alba Policet”, “Dasma Kërçovare”, “Uskana Fest”, “Mbretëresha Thana” dhe “Çmimet Votra”, aktivitete që sipas tij prej vitesh kanë kontribuar në ruajtjen dhe promovimin e identitetit kulturor të shqiptarëve në Kërçovë.

Të dy këshilltarët kërkuan transparencë më të madhe, publikimin e kritereve të vlerësimit dhe sqarime të detajuara për mënyrën e shpërndarjes së fondeve publike, duke theksuar se qytetarët kanë të drejtë të dinë se si shpenzohen paratë e buxhetit komunal.

Debati për fondet e kulturës pritet të vazhdojë edhe në seancat e ardhshme të Këshillit Komunal, ndërsa mbetet të shihet nëse institucionet përgjegjëse do t’u përgjigjen pyetjeve dhe shqetësimeve të ngritura nga këshilltarët opozitarë.