Home Sport ULTIMATUM NGA SHKËNDIJA! Klubi tetovar paralajmëron largimin nga futbolli i Maqedonisë së...

ULTIMATUM NGA SHKËNDIJA! Klubi tetovar paralajmëron largimin nga futbolli i Maqedonisë së Veriut

4
0

Klubi Futbollistik Shkëndija ka lëshuar një komunikatë zyrtare përmes së cilës ka shprehur revoltën e thellë ndaj vendimit të fundit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM). Sponsori kryesor i klubit tetovar e ka cilësuar këtë vendim si “skandaloz” dhe ka paralajmëruar mundësinë e tërheqjes përfundimtare nga futbolli i Maqedonisë së Veriut nëse ky vendim nuk rishikohet dhe korrigjohet urgjentisht.

​Në komunikatën e lëshuar për mediat, udhëheqësia dhe sponsori i Shkëndijës kujtojnë se klubi ka qenë gjithmonë një shembull i seriozitetit, korrektësisë dhe përputhshmërisë së plotë me obligimet sportive dhe financiare, duke bërë sakrifica të mëdha ndër vite.

​“Shkëndija është klubi që me paraqitjet dinjitoze në Evropë ngriti koeficientin e ligës, nga i cili përfitojnë të gjitha klubet vendore dhe falë të cilit, nga viti i ardhshëm, futbolli ynë do të ketë një vend shtesë në kupat evropiane“, thuhet në reagim.

​”Vendimet në tavolinë po godasin projekte serioze”
​Për sponsorin e klubit, dëmtimi i një projekti kaq serioz përmes vendimeve të marra “në tavolinë” është tërësisht i papranueshëm dhe shihet si një goditje e qëllimshme ndaj kontributit të tyre shumëvjeçar.

​Ky zhvillim ka bërë që investitorët e klubit të vënë në pikëpyetje qëndrimin e mëtejshëm në futbollin vendor.

​“Kjo qasje na shtyn të shqyrtojmë edhe opsionin e tërheqjes nga klubi/futbolli në Maqedoni të Veriut. Nëse FFM nuk e tërheq këtë vendim, atëherë ne si sponsor do ta shqyrtojmë seriozisht vazhdimin e mëtutjeshëm, pasi që ky vendim i cenon të drejtat dhe politikat e klubit“, paralajmërojnë nga KF Shkëndija.

Në mbyllje të komunikatës, klubi tetovar i bën thirrje publike organeve të FFM-së që të reflektojnë me urgjencë, në mënyrë që të mbrohet drejtësia sportive, interesat e klubit dhe e ardhmja e futbollit në vend.(INA)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here