Home Maqedoni Profesori nga Kërçova arrin sukses të madh, renditet ndër 10 shkencëtarët më...

Profesori nga Kërçova arrin sukses të madh, renditet ndër 10 shkencëtarët më të cituar në Maqedoni

19
0

Profesori universitar Isa Spahiu është vlerësuar nga organizata Academic Ranking of Balkan Universities (ARBU) me një certifikatë të veçantë, duke u renditur ndër 10 shkencëtarët më të cituar në fushën e shkencave humane në Maqedoninë e Veriut.

Ky vlerësim konsiderohet një arritje e rëndësishme akademike, pasi bazohet në ndikimin dhe citimet që studiuesit marrin në publikimet e tyre shkencore, duke reflektuar kontributin e tyre në zhvillimin e dijes dhe kërkimit shkencor.

Lajmin e bëri të ditur vetë Spahiu përmes një njoftimi publik, ku shprehu mirënjohjen për këtë vlerësim dhe falënderoi familjen, kolegët, bashkëpunëtorët dhe studentët për mbështetjen e vazhdueshme gjatë karrierës së tij akademike.

Ai theksoi se ky sukses përfaqëson një motivim shtesë për të vazhduar angazhimin në kërkimin shkencor dhe për të kontribuar në avancimin e Universitetit të Tetovës, si dhe në zhvillimin e arsimit të lartë në vend. Sipas tij, arritje të tilla janë dëshmi e përkushtimit ndaj punës shkencore, promovimit të dijes dhe ngritjes së cilësisë akademike.

Renditja e Isa Spahiut ndër studiuesit më të cituar në vend përbën një lajm të rëndësishëm për komunitetin akademik shqiptar dhe njëkohësisht një arsye krenarie për Kërçovën, e cila vazhdon të japë kontribut të çmuar në fushën e arsimit, shkencës dhe jetës publike.