Profesori universitar Isa Spahiu është vlerësuar nga organizata Academic Ranking of Balkan Universities (ARBU) me një certifikatë të veçantë, duke u renditur ndër 10 shkencëtarët më të cituar në fushën e shkencave humane në Maqedoninë e Veriut.
Ky vlerësim konsiderohet një arritje e rëndësishme akademike, pasi bazohet në ndikimin dhe citimet që studiuesit marrin në publikimet e tyre shkencore, duke reflektuar kontributin e tyre në zhvillimin e dijes dhe kërkimit shkencor.
Lajmin e bëri të ditur vetë Spahiu përmes një njoftimi publik, ku shprehu mirënjohjen për këtë vlerësim dhe falënderoi familjen, kolegët, bashkëpunëtorët dhe studentët për mbështetjen e vazhdueshme gjatë karrierës së tij akademike.
Ai theksoi se ky sukses përfaqëson një motivim shtesë për të vazhduar angazhimin në kërkimin shkencor dhe për të kontribuar në avancimin e Universitetit të Tetovës, si dhe në zhvillimin e arsimit të lartë në vend. Sipas tij, arritje të tilla janë dëshmi e përkushtimit ndaj punës shkencore, promovimit të dijes dhe ngritjes së cilësisë akademike.
Renditja e Isa Spahiut ndër studiuesit më të cituar në vend përbën një lajm të rëndësishëm për komunitetin akademik shqiptar dhe njëkohësisht një arsye krenarie për Kërçovën, e cila vazhdon të japë kontribut të çmuar në fushën e arsimit, shkencës dhe jetës publike.





