Argentina ka siguruar me shumë vështirësi kalimin në fazën e 1/8 së finales së Kupës së Botës 2026, pasi mposhti Cape Verden me rezultatin 3-2 vetëm pas vazhdimeve, në një nga ndeshjet më dramatike të këtij edicioni.
Kampionët në fuqi e nisën mirë takimin dhe kaluan në epërsi falë Lionel Messit, i cili realizoi golin e parë të Argjentinës dhe vazhdoi serinë e tij mbresëlënëse në këtë Botëror. Megjithatë, Cape Verde nuk u dorëzua dhe barazoi rezultatin në pjesën e dytë, duke tronditur favoritët.
Në vazhdime, Argjentina kaloi sërish në epërsi me Lisandro Martínez, por skuadra afrikane reagoi edhe një herë, duke barazuar në 2-2 me një gol spektakolar dhe duke mbajtur gjallë ëndrrën për një nga surprizat më të mëdha në historinë e Kupës së Botës.
Kur gjithçka po shkonte drejt një fundi dramatik, Lionel Messi ekzekutoi një goditje nga këndi, ndërsa Cristian Romero fitoi duelin në ajër. Topi u devijua në portë nga mbrojtësi Diney Borges, duke u regjistruar si autogol dhe duke i dhënë Argjentinës fitoren 3-2 në minutat e fundit të kohës shtesë.
Pavarësisht eliminimit, Cape Verde fitoi respektin e tifozëve në mbarë botën me paraqitjen heroike. Kombëtarja debutuese në Kupën e Botës ishte shumë pranë një sensacioni historik ndaj kampionëve në fuqi dhe u largua nga turneu me kokën lart.
Me këtë fitore, Argjentina vazhdon mbrojtjen e titullit botëror dhe në fazën e 1/8 së finales do të përballet me Egjiptin, në një tjetër duel që pritet me shumë interes./Kercovanews
VIDEO:





