Gjërat po bëhen vërtet interesante, dhe shumëkush e kuptoi këtë në momentin që Elon Musk citoi shprehjen latine në Vulën e Madhe të Shteteve të Bashkuara. “Novus Ordo Seclorum”, Rendi i Ri Botëror, shkroi në platformën X titani i teknologjisë, i kthyer në një përkrahës të fortë të MAGA-s, teksa po përshëndeste fitoren e Donald Trump…
Të njëjtën gjë tha në anën tjetër të botës, në Rusi, Alexander Dugin. Ai është një filozof i ekstremit të djathtë i lidhur me tezën e “euroazianizmit”, një narrativë që lavdëron neo-imperializmin rus anti-perëndimor. “Pra, ne kemi fituar. Bota nuk do të jetë më e njëjta, pasi globalistët e kanë humbur betejën e tyre përfundimtare”-shkroi Dugon po në platformën X.
Është joshëse që qëndrimet e Musk dhe Dugin, të cilësohen si pjesë e hiperbolave që e kanë pushtuar planetin që kur Trump arriti rikthimin e tij mahnitës në Shtëpinë e Bardhë. Janë të shumtë ekspertët që po i ekzagjerojnë shumë gjërat, saqë duhet të kujtojmë thënien e Ekleziastit në Bibël: S’ka asgjë të re nën këtë Diell.
Ndoshta nuk do të ketë një “rend të ri”. Ndoshta bota do të ndryshojë më pak nga sa duket. E megjithatë një model sugjeron se Trump 2.0, përfaqëson një pikë kthese historike në shkallën që e imagjinojnë Musk dhe Dugin.
Nga Evropa në Azi dhe deri në Amerikë, njerëzit që përgjatë viteve e kanë lavdëruar atë që quhet rend ndërkombëtar liberal, ose “i bazuar në rregulla”, janë në faza të ndryshme të ciklit të pikëllimit Kübler-Ross (mohim, zemërim, negocim, depresion, pranim).
Të gjithë ata që janë mbështetës të vizionit të kundërt, pra të sundimit të një njeriu të dorës së fortë “jo liberal”, janë të gëzuar, nga Viktor Orban në Hungari tek Benjamin Netanyahu në Izrael apo Narendra Modi në Indi. Terma të tjerë për këtë rend të vjetër, që tani është ndoshta duke vdekur, janë Pax Americana ose siç e quajti Henry Luce, themeluesi i Time dhe revistave të tjera – Shekulli Amerikan.
Ai donte që Amerika të refuzonte izolimin që e kishte mbajtur atë jashtë çështjeve ndërkombëtare midis luftërave botërore, dhe të bëhej Samaritani i Mirë i botës, pra një hegjemon i një sistemi shtetesh të hapur, të qëndrueshëm dhe maksimalisht të lirë.
Nëse Musk ka të drejtë se Trump do të krijojë një rend të ri, dhe Dugin ka të drejtë kur thotë se globalistët kanë humbur, atëherë muzgu do të nisë të bjerë mbi Shekullin Amerikan. Dhe ja çfarë do të thotë kjo. SHBA-ja do të largohet nga regjimi i tregtisë, relativisht i hapur dhe i rregulluar, që ndërtoi pas Luftës së Dytë Botërore.
Me tarifat gjithëpërfshirëse që premton të vendosë Trump ndaj vendeve të tjera, do të nxisë fillimin e një epoke luftërash tregtare dhe të nacionalizmit ekonomik, e cila do të na kujtojë vitet 1930. Po ashtu, edhe pse gradualisht, do ta bëjë statutin e Kombeve të Bashkuara po aq të pakuptimtë, sa ai i Lidhjes së Kombeve në vitet 1930.
Ai draft i një kushtetute botërore, duket tashmë i bërë copë e çikë, pasi Rusia dhe Kina (dhe SHBA-ja kur e ndien) vazhdojnë që të shkelin idealet e saj. Por Trump do të shkojë edhe më tej, duke hedhur poshtë parimet si sovraniteti dhe integriteti i të gjitha vendeve, të mëdha dhe të vogla; dhe do të arrijë marrëveshje me autokratët për të rivendosur “sferat e ndikimit”, siç bënë perandoritë evropiane në shekullin XIX-të.
Për vendet më të vogla, kjo nënkupton katastrofën. Dhe viktima e parë do të jetë ndoshta Ukraina. Një viktimë tjetër do të jetë e drejta ndërkombëtare, siç mishërohet aktualisht në institucionet nga OKB-ja (të cilën shumë republikanë të MAGA-s duan ta zhvlerësojnë) deri tek Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë.
Zëvendësimi i tyre, do të nënkuptonte ligjin e xhunglës, pra konceptin se forca mund të bëjë të drejtën. Bien Kanti dhe Grotius, dhe ngrihen Tukididi dhe Hobbs. Ndërsa Trump po e dëmton multilateralizmin në përgjithësi, ai do të braktisë edhe elementët e tjerë të bashkëpunimit ndërkombëtar, sidomos aleancat e Amerikës.
Ai mund të mos tërhiqet zyrtarisht nga NATO, por do ta dëmtojë efektin e saj parandalues ndaj kundërshtarëve, duke e trajtuar si një “taksë në këmbim të mbrojtjes” angazhimin e Amerikës për mbrojtjen e ndërsjellë. Ai do të ketë të njëjtën qasje me aleatët në Azi, ku presidenti aktual Joe Biden ishte shumë aktiv për ndërtimin e rrjeteve të reja “minilaterale” të mbrojtjes për të frenuar Kinën.
Askush nuk e di se si do të reagojnë fuqitë e mëdha dhe udhëheqësit e tyre makiavelistë ndaj këtij abdikimi të hegjemonisë amerikane. A do të ngopet presidenti rus Vladimir Putin sapo të gllabërojë 4 rajonet ukrainase, të cilat ai i pretendon se i ka “aneksuar”, apo do të vazhdojë të pushtojë të gjithë Ukrainën, dhe më pas të marshojë drejt Moldavisë dhe shteteve të tjera post-sovjetike?
A do t’i ofrojë Donald Trumpit Xi Jinpingut një marrëveshje, për ta lejuar Kinën të militarizojë të gjithë Detin e Kinës Jugore, dhe më vonë të gllabërojë Tajvanin? Nuk ka të gjasa që këto pyetje t’ia trazojnë gjumin Trumpit natën, pasi ai po mendon vetëm për transaksione.
Është po aq e pasigurt se si miqtë e Amerikës, kryesisht fuqitë e mesme dhe vendet më të vogla, do të përshtaten midis sferave të reja të influencës, që do të vendosin Trump dhe udhëheqësit tjerë autoritarë. Dy prej tyre, Gjermania dhe Japonia, ishin armiqtë e Amerikës në Luftën e Dytë Botërore.
Më pas u bënë të mbrojturat e Uashingtonit. Gjermania u fut në NATO dhe Bashkimin Evropian, ndërsa Japonia është bërë kohët e fundit pjesë e grupimeve të reja të udhëhequra nga SHBA-ja, dhe ku bëjnë pjesë edhe Koreja e Jugut, Filipinet dhe India.
Sapo Trump të tërhiqet nga mbështetja e Amerikës ndaj këtyre aleatëve, çfarë do ta parandalojë rishfaqjen e armiqësive të vjetra, nga armiqësitë midis Gjermanisë dhe Francës ose Gjermanisë dhe Polonisë, tek pakënaqësitë e vazhdueshme midis japonezëve dhe koreanëve? E pse të mos duan të kenë të gjithë arsenalin e tyre bërthamor?
Pax Americana ka qenë gjithnjë e papërsosur, dhe për shumë njerëz në botë, nga Vietnami në Irak, ajo ishte e mbuluar nga hipokrizia. Por mbijetoi për aq kohë sa bota kishte rregulla. Jo menjëherë, por me kalimin e kohës, ky rend do të kalojë në entropi, ndërsa sistemi ndërkombëtar do të rikthehet në gjendjen e tij natyrore, që është anarkia.
Problemet e përbashkëta të njerëzimit, si ndryshimi i klimës, do të mbeten të pazgjidhshme. Ndërkaq do të bëhen më të mundshme rreziqet më serioze, si për shembull lufta bërthamore,. Një tjetër hiperbolë? Shpresoj që ta kem gabim. Por nëse Muskët dhe Duginët e botës, po festojnë rikthimin e Trump dhe fundin e Shekullit Amerikan, atëherë ne të tjerët kemi të drejtë të shqetësohemi./Pamfleti