Degët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Pejë dhe Lipjan kanë kërkuar përgjegjësi nga lidershipi i partisë pas rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, duke kërkuar edhe dorëheqjen.
“Pas mbledhjes së Kryesisë dhe analizës së rezultateve të zgjedhjeve të qershorit, me shumicë votash, anëtarët e Kryesisë në Pejë kanë kërkuar reflektim të thellë politik dhe marrjen e përgjegjësisë nga lidershipi i partisë.
Në këtë drejtim, është kërkuar dorëheqja si akt moral dhe politik, duke vlerësuar se përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja.
Kryesia e Degës së LDK-së në Lipjan, pas mbledhjes së mbajtur së bashku me kryetarët e nëndegëve, ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të LDK-së, duke e cilësuar këtë si standard të përgjegjësisë politike dhe akt reflektimi pas mesazhit të dhënë nga qytetarët përmes votës.
Reagon Abdixhiku
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, u është përgjigjur kërkesës së degëve në Pejë dhe Lipjan për dorëheqjen e tij. Abdixhiku ka thënë se LDK-ja ka performuar më së dobëti në këto dy komuna në zgjedhjet e 7 qershorit dhe ka kërkuar dorëheqjen e tyre morale.
Abdixhiku këtë kërkesë e ka bërë ndaj kryetarit të degës në Pejë, Gazmend Muhaxheri dhe atij në Lipjan, Imri Ahmeti.
“Pajtohem që rezultati në këto dy degë nuk është i kënaqshëm. Në komuna ku kemi qeverisje, të dalim të tretët tregon vetëm dozën e një sabotimi të thellë dhe të një projekti që nuk është i LDK-së. Unë çështjen e dorëheqjes sime e kam trajtuar në Kuvendin e 31 janarit. Edhe përballë këtyre dy kryetarëve. Anëtarësia jonë, për mua, ka folur qartë. Por, për performancën e dobët në këto dy degë, rezultatin më të ulët ndër vite, pres dorëheqjet morale të dy kryetarëve në fjalë. I pranoj menjëherë”, ka thënë Abdixhiku në reagimin e tij në Facebook.
Abdixhiku ka thënë gjithashtu se këto kërkesa të dy kryetarëve, janë të koordinuara dhe e ka quajtur si më korrekte po t’i bëheshin ballë për ballë.
Kryetari i LDK-së ka deklaruar se ndjen keqardhje që në momentet me të rëndësishme kësaj partie, dëmtimi nga brenda mbetet qëllim. Reagimin e ka nisur dhe përfunduar me “Si nuk u ngopën kurrë?!”.





